KESH zhvillon dëgjesën me publikun në kuadër të projektit Impianti termik lundrues i përkohshëm

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a.) së bashku me konsulentin Abkons organizoi Dëgjesën me Publikun në kuadër të përgatitjes së Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social për projektin e “Impiantit Termik Lundrues të Përkohshëm dhe Infrastrukturën ndihmëse” me vendndodhje në Triportin e Vlorës, pranë TEC Vlorë, me qëllim informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore.

Dëgjesa u zhvillua pranë zonës ku do të zhvillohet ky projekt. Pjesëmarrja në këtë konsultim ishte shumë e gjerë, me përfaqësues të bizneseve lokale në zonë, banorë të zonës së Nartës, Zvërnecit e Vlorës si dhe përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier, Bashkisë Vlorë, Njësive Administrative e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Gjatë dëgjesës u prezantua raporti i studimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, si dhe u zhvilluan diskutime nëpërmjet aktorëve kyç në lidhje me zbatimin e projektit, të cilat do të pasqyrohen në raportin përfundimtar.