Projekti i Hidrocentralit (HEC) të Skavicës
Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) është prodhuesi dhe furnizuesi publik i 75% të elektriciteti...
Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) është prodhuesi dhe furnizuesi publik i 75% të elektricitetit në Shqipëri. KESH është gjithashtu zhvilluesi i Projektit të Hidrocentralit (HEC) të Skavicës i parashikuar të ndërtohet në Drinin e Zi. Qëllimi i ndërtimit të HEC Skavica është të sigurojë furnizim shtesë me energji elektrike si dhe të përmirësojë menaxhimin e kaskadës së Drinit si dhe reduktimin e përmbytjeve në rrjedhën e poshtme nga nivelet e larta të reshjeve sezonale. Bechtel, kompania globale e inxhinierisë dhe ndërtimit, është duke punuar më KESH për të realizuar një studim realizueshmërie të HEC Skavica, i cili ka vite që shqyrtohet, për të vijuar më tej me projektimin paraprak (i njohur edhe si projektimi FEED) si dhe realizimin e vlerësimit të kostove të Projektit.
Kaskada ekzistuese e ndërtuar mbi lumin Drin është më e madhja në Ballkan. Tre digat ekzistuese zotërohen dhe operohen nga KESH me një fuqi të kombinuar prej 1350 MW. Skavica, si diga e sipërme e kësaj kaskade do të jetë diga kontrolluese që do të ndihmojë në optimizmin e kaskadës.
Studimi i fizibilitetit do të shqyrtojë:
- alternativat për vendndodhjen e digës dhe elementeve të tjera të Projektit;
- llojin dhe lartësinë e digës;
- korridorin e linjës së transmetimit;
- rrugët hyrëse dhe facilitetet e përkohshme;
- vlerësimet gjeologjike, gjeoteknike, hidrologjike, të ndryshimit të klimës dhe përmbytjeve;
- studimet për fuqinë dhe prodhimin e energjisë;
- tunelet për skemën hidrike.
Gjatë studimit të fizibilitetit do të vlerësohen parametrat mjedisore dhe sociale si pjesë e studimit të alternativave të cilat do të kryhen në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe ligjet dhe rregulloret që aplikohen në Shqipëri.
KESH ka angazhuar Bechtel, kompaninë globale të inxhinierisë dhe ndërtimit, për të ndërmarrë vlerësimin paraprak të të dhënave, vrojtimet dhe punimet e studimet e tjera analizuese për qëllime të përzgjedhjes së opsionit të preferuar të Projektit. Si pjesë e procesit të përzgjedhjes së opsioneve të Projektit është duke u realizuar vlerësimi i ndikimit mjedisor dhe social në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të performancës.
Me përzgjedhjen e opsionit të preferuar do të nisë puna për hartimin e projektit paraprak e cila do të përmbyllet me vlerësimin e kostove dhe planin e zbatimit.
Projekt-propozimi do të dorëzohet për shqyrtim dhe aprovim nga qeveria e Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023.
Qëllimi i fazës aktuale të studimit është që të vlerësojë realizueshmërinë (fizibilitetin) e Projektit. Studimi po kryhet sipas standardeve ndërkombëtare dhe Bechtel është duke e menaxhuar këtë proces për KESH-in me mbështetjen e kompanive të tjera ndërkombëtare si Mott MacDonald për pjesën inxhinierike, Golder për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor e Social (VNMS) si dhe ËeBuild për pjesën teknike dhe të ndërtueshmërisë së veprës. Gjithashtu në këtë fazë Projekti po mbështetet edhe nga kompani lokale të konsulencës. KESH, Bechtel dhe partnerët e tjerë të Projektit janë të angazhuar të trajtojnë në mënyrë të drejtë komunitetet dhe popullatën e prekur dhe angazhimet paraprake me komunitetin janë një nga shumë mundësitë që do t’u jepen atyre për të dhënë opinionet dhe reagimet e tyre mbi Projektin.
Studimet gjeoteknike kanë nisur rreth fundit të vitit 2021 së bashku me vrojtimet tokësore dhe ajrore bazë të zonës së propozuar të Projektit. Aktualisht janë duke u shqyrtuar dy vendndodhje të mundshme të Digës dhe vendimi për vendndodhjet e preferuara pritet të merret në tremujorin e parë të vitit 2023.
Grafiku ilustrativ i projektit tregohet në tabelën më poshtë.
Mbushja e rezervuarit nuk planifikohet të ndodhë deri në një fazë të vonshme të punimeve të ndërtimit.
Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS)
Për arsye se HEC Skavica konsiderohet si një element kyç për optimizimin e kaskadës së Drinit, në vitet e kaluara janë ndërmarrë studime të ndryshme. Në Qershor 2020, qeveria e Shqipërisë mori vendimin për ta financuar dhe zotëruar Projektin e HEC Skavica nëpërmjet KESH.
Si pjesë e kësaj faze të parë VNMS është duke u ndërmarrë nga Golder një kompani e njohur dhe me eksperiencë ndërkombëtare e mbështetur nga kompani lokale të konsulencës. Studimet e gjendjes ekzistuese mjedisore janë kryer tashmë për periudhat e verës, vjeshtës, dimrit dhe pranverës. Studimi ekologjik është duke u realizuar. Studimet paraprake të gjendjes sociale janë kryer gjatë vitit 2022.
Studimi i VNMS do të vlerësojë me kujdes:
- Ndikimet e mundshme mjedisore dhe sociale të Projektit (si ato negative ashtu edhe ato pozitive);
- Mënyrat se si ndikimet negative mund të shmangen, minimizohen dhe/ose korrigjohen qysh në fazat e hershme të hartimit të projektit;
- Ndikimet e mundshme në jetesën e komuniteteve të prekura, grupet në nevojë, infrastrukturën sociale, trashëgiminë kulturore si dhe burimet natyrore;
- Qasjen dhe parimet e kompensimit dhe zhvendosjes nëpërmjet hartimit të dokumentit të Politikave Kuadër të Zhvendosjes;
Diskutimet fillestare me palët e interesit si dhe studimet që do të pasojnë do të përfshihen në raportin e VNMS. Raporti po ashtu do të përfshijë strategjinë e propozuar për kompensimin dhe zhvendosjen dhe më pas do të ndahet me komunitetet e prekura për të marrë opinionet dhe komentet e tyre. Raporti pritet të jetë gati për opinionet dhe komentet e publikut gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023.
Për qëllime të hartimit të Planit të Veprimit të Zhvendosjes, Projekti do të ndërmarrë gjithashtu studimet e nevojshme për të përcaktuar:
- Popullsinë e prekur
- Sipërfaqen e tokës që do të duhet për projektin
- Vlerat e kompensimit për tokën
- Vlerat e kompensimit për asetet
- Planin e zhvendosjes për ato raste kur do të jete e nevojshme të aplikohet
VNMS si dhe raportet e studimet për zhvendosjen do të shoqërohen nga vrojtime të vazhdueshme në terren si dhe ndërveprim të ngushtë me palët e interesuara të Projektit përfshi këtu komunitetet e prekura si dhe autoritetet vendore dhe qendrore.
Grafiku më poshtë paraqet një përmbledhje të përditësuar të afateve kryesore të aktiviteteve të VNMS-së.
Drafti i Raportit të Çështjeve Mjedisore (ose siç njihet, Raporti i Ndërveprimit me Mjedisin) është hartuar në tre-mujorin e katërt të vitit 2022 dhe pas rishikimit dhe përkthimit është publikuar në faqen zyrtare të KESH në fillim të Shkurtit 2023. Ky raport paralelisht është dërguar pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit si pjesë e procesit të aplikimit për hartimin e Raportit të Ndikimit Mjedisor e Social ose siç njihet VNMS e Thelluar, në përputhje me parashikimet ligjore. Raportin e Ndërveprimit me Mjedisin e gjeni ketu:
Grafiku më poshtë paraqet një përmbledhje të procesit të Angazhimit të Palëve të Interesit që do të zbatohet përgjatë kohës së Projektit.
Ju lutem për cdo informacion na kontaktoni në adresën e email-it: info@skavicaHPP.com