Hidrocentrali i Skavicës

Ndërtimi i HEC Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektro-energjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit.  Ky është një projekt i hershëm, i cili jo vetëm do të përmbushë kërkesat e tregut shqiptar sa i takon prodhimit të energjisë, por do t’i japë mundësi vendit për t’u kthyer edhe në një eksportues të energjisë së rinovueshme.

Projekti Hidroenergjetik i Skavicës (HEC Skavica) do të ndërtohet në rrjedhën e sipërme të kaskadës së tri digave ekzistuese që janë në pronësi dhe shfrytëzim të KESH sh.a . HEC Skavica ka për qëllim të ofrojë prodhim shtesë të energjisë elektrike, të parandalojë përmbytjet në rrjedhën e poshtme dhe të optimizojë kaskadën duke qenë diga kontrolluese. 

Në korrik 2021, në prani të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Justin Siberell, President Rajonal për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme të Bechtel Infrastructure është nënshkruar kontrata për fazën e parë të këtij projekti mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanisë amerikane Bechtel Infrastructure.

Nënshkrimi i Kontratës së fazës së parë për ndërtimin e HEC Skavica u bë nga Drejtori i KESH, Ergys Verdho për palën shqiptare dhe Andrew Patterson, Drejtues Global i Business Development dhe Manaxher i Projekteve të Mëdha për Bechtel Infrastructure.

Sipas Vendimit  Nr. 485, datë 30.07.2021  Për miratimin e kontratës se fazës së parë “ Kontratë për shërbime teknike”–Projekti hidroenergjitik i Skavicës ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare sh.a. dhe shoqërisë Bechtel Limited duke filluar nga data e hyrjes në fuqi, shërbimet përfshijnë detyrat e përshkruara në shtojcën 1 të këtij vendimi, me ndryshimet e herë pas hershme të kryera me marrëveshje mes palëve. Pas përfundimit të detyrës 1, Bechtel-i do t’i paraqesë KESH sh.a për miratim programin e projektit për detyrat e mbetura. Në përputhje me ligjin nr. 38/2021, qëllimi i Kontratës së fazës së parë konsiston në kryerjen e aktiviteteve paraprake të punës. Për sa më lart, detyrat e parashikuara në  shtojcën 1 të këtij vendimi do të jenë në funksion të përmbushjes së kërkesave të ligjit të zbatueshëm për sa i përket miratimit të projektit të digës (përfshirë projekt-idenë dhe projekt-zbatimin), por miratimet përfundimtare të projekt idesë dhe projekt-zbatimit, sipas ligjit të zbatueshëm për miratimin e projektit të digave, mund të mos finalizohen deri në fazën e dytë, siç përshkruhet në ligjin nr. 38/2021.

Referuar Shtojcës 1 të Vendimit  Nr. 485, datë 30.07.2021 për një periudhë 18 mujore puna përgatitore përfshin të gjitha studimet e mëposhtme .

  • Vlerësimi paraprak, mbledhja fillestare e të dhënave dhe finalizimi i rakordimit të objektit.
  • Studimi , përzgjedhja e vendit dhe konceptet  
  • Studimet/Rilevimet
  • Punime inspektimi dhe studime. 
  • Vlerësimi i ndikimit mjedisor dhe social 
  • Projektimi
  • Plani i zbatimit të projektit  
  • Zhvillimi  i vendit të projektit 
  • Plani i implemetimit të zbatimit    
  • Opsionet e financimit
  • Preventimi paraprak i sasive/kostove  

Bechtel-i, duke shfrytëzuar kapacitetet, ekspertizën dhe përvojën e vet, është i gatshëm të ndërmarrë Projektin, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në këtë Kontratë.

Mëso më shumë rreth HEC Skavica në linkun më poshtë:

http://kesh.al/projekti-i-hidrocentralit-hec-te-skavices/