Aktivitetet e KESH në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, ditë e cila ka për qëllim të ndërgjegjësojë njerëzimin në lidhje me rëndësinë e natyrës, gjatë një jave Korporata Elektroenergjetike Shqiptare referuar fokusit të vendosur nga ana e saj në lidhje me përgjegjshmërinë social – mjedisore u angazhua në një serë aktivitetesh për pastrimin jo vetëm të baseneve ujore të hidrocentraleve të cilat shfrytëzohen nga ana e shoqërisë dhe jo vetëm, por edhe të territorit në administrim të bashkisë Shkodës, Bashkisë Vau i Dejës dhe Bashkisë Kukës.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare fillimisht (në datat 17-18 Prill 2018) iu bashkua nismës së Prefekturës Shkodër në aktivitetin organizuar nga jo e fundit nën moton “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”. Ky aktivitet u zhvillua për pastrimin e brigjeve të liqenit të Shkodrës (në zonën turistike të Shirokës) dhe lumit Buna (Aksi rrugor Ana e Malit). Nga ana e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare u vunë në dispozicion të aktivitetit mjetet e pastrimit dhe të transportit (në administrim të Hec Vau i Dejës dhe Hec Koman) si dhe sigurua baza materiale e nevojshme për realizimin e pastrimit. Kësaj nisme i`u bashkuan rreth 50 punonjës të administratës së Korporatës (përfshirë këtu dhe punonjës të njësive prodhuese Hec Vau i Dejës dhe Hec Koman).
Aktivitetet e javës vazhduan me pastrimin e liqenit të Komanit (në datat 19-20 Prill 2018) për t’u finalizuar me aksionin në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, më 22 Prill 2018, e cila ndryshe konsiderohet si dita e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin e tokës. Në këtë ditë nën drejtimin e drejtorit të Hec Fierzë Z. Ergys Verdho, punonjës të kësaj njësie së bashku me punonjës të Prefekturës Kukës u angazhuan në pastrimin e brigjeve të liqenit të Fierzës, pranë qytetit të Kukësit.
Punonjësit e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare që morën pjesë vullnetarisht në javën e pastrimit të ambientit, përveçse kontribuuan në pastrimin e mjedisit dhanë gjithashtu edhe një shembull pozitiv për komunitetin dhe bizneset përreth duke promovuar një qasje të përgjegjshme qytetare me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit.
Këto nisma tashmë janë kthyer në traditë për Korporatën Elektrotronergjetike Shqiptare e cila është tërësisht e angazhuar në organizimin e një serë aktivitetesh ndërgjegjësimi duke ndjekur me kujdes dhe përafruar qasjen e saj ndaj mjedisit në përputhje me praktikat ndërkombëtare për çështje të përgjegjshmërisë social – mjedisore.