BERZH, 218 milionë euro hua për ristrukturimin e KESH
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbështet modernizimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), gjeneruesi më i madh i energjisë elektrike në Shqipëri, me një hua prej 218 milionë euro për të mbështetur ristrukturimin e Shoqërisë dhe zbatimin e paketës së reformave.
KESH është shoqëria shtetërore e gjenerimit të energjisë elektrike e cila siguron 70 për qind të prodhimit total në vend dhe është aktive në sektorin rajonal të gjenerimit të energjisë.
Në kuadër të strategjisë së saj për të ndihmuar vendet në të cilat investon të adresojnë sfidat e sigurisë së energjisë dhe ndryshimeve klimaterike, BERZH po asiston KESH në modernizimin dhe përmirësimin e situatës financiare si dhe në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimaterike.
Huaja e BERZH do të jetë me garanci sovrane dhe do t’i mundësojë KESH një financim afatgjatë duke reduktuar kostot dhe rritur likuiditetin. Kjo do të t’i bëjë të mundur shoqërisë të fokusohet në mirëmbajtjen e aseteve ekzistuese dhe në zbatimin e një programi modernizues investimesh afatgjata.
Nën një paketë gjithëpërfshirëse reformash, KESH do të përmirësojë efiçencën operacionale dhe mirëqeverisjen e korporatës. Zbatimi i këtyre ndryshimeve do të bëjë të mundur që KESH të operojë në përputhje me kërkesat e rregulloreve respektive të BE për sektorin e energjisë. Këto masa përfshijnë zhvillimin e një burse të energjisë, integrimin rajonal dhe formimin e tarifave.
BERZH gjithashtu po ofron asistencë teknike, nga fondet e donatorëve, për të ndihmuar KESH në zbatimin e komponentëve të qëndrueshmërisë klimaterike të operimit dhe manaxhimit të saj Nandita Parshad, Drejtore e BERZH për Energjinë deklaroi se “KESH është tashmë në rrugën e reformave gjithëpërfshirëse dhe BERZH është e lumtur ta mbështesë në këtë iniciativë. Në veçanti, ne jemi të lumtur të ndihmojmë Shoqërinë të përparojë drejt praktikave më të mira ndërkombëtare të qeverisjes së korporatave dhe qëndrueshmërisë klimaterike.”
Agron Hetoja, Drejtor i KESH u shpreh se “Ky është një moment shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë. Huaja e BERZH do të ndihmojë në përforcimin e strukturës sonë financiare dhe do të na ndihmojë të jemi “leader” në reformat e sektorit. Zbatimi i këtij plani ambicioz do ta transformojë KESH në të mirë të ekonomisë dhe klientëve”.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri shtoi se “Ky projekt, përbën një tjetër arritje në reformimin e sektorit të energjisë dhe synon të sigurojë energji të përballueshme, të sigurtë dhe të gjelbër për popullin Shqiptar.”
Ministri i Financave Arben Ahmetaj theksoi se “Ristrukturimi i KESH në bashkëpunim me BERZH forcon njëkohësisht strukturën financiare dhe atë të qeverisjes së korporatës të KESH duke reduktuar dukshëm riskun fiskal në Shqipëri.”
Investimi i BERZH është në përputhje me planin e rimëkëmbjes financiare të sektorit energjitik që qeveria shqiptare dhe KESH zhvilluan në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Deri më sot, BERZH ka investuar rreth 1 miliardë euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Rritja e qëndrueshmërisë ekonomike, promovimi i integrimit dhe adresimi global dhe rajonal i sfidave janë prioritete kyçe të BERZH në kuadër të Planit të Implementimit Strategjik të Bankës për periudhën 2016-2018