Inagurohet përfundimi i 900 milion lek investimeve në HEC Fierzë
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i Korporatës Elektroenergjitike z.Agron Hetoja inaguruan investimet e kryera në Hidrocentralin e Fierzës gjatë vitit 2015.
Investimet kapin vlerën e 900 milion lekëve dhe fokusohen në tre drejtime. Së pari tek rritja e efiçencës së prodhimit përmes blerjes së pajisjeve dhe vendosjes së sistemeve që mundësojnë optimizimin e prodhimit. Së dyti, rritja e sigurisë dhe jetëgjatësisë së veprës përmes ndërtimit të pritave malore, rehabilitimit të kullës së ekulibrit, sistemi i vëzhgimit për ruajtjen dhe sigurinë fizike, sistemimi dhe asfaltimi i rrugës sepertinë të digës. Së treti përmirësimi i kushteve të punës përmes instalimit të shkallëve metalike në portat e tunelit nr.4 të shkarkimit, instalim i sistemit të ventilim-kondicionimit në central.
Drejtori i HEC Fierzë Ergys Verdho informoi se totali i vlerës së investimeve të kryera në këtë vepër energjitike gjatë 3 vitevë fundit arrin në rreth 15 milion euro.
Ministri Gjiknuri deklaroi se përmirësimi i pagesave kundrejt Operatorit të Shpërndarjes ka sjellë një zinxhir përmirësimi finnanciar të KESH, gjë që ka mundësuar realizimin e këtyre investimeve.“Rritet jetëgjatësia e kësaj vepre, rritet eficenca ekonomike dhe i ruhen vlerat një aseti shumë të rëndësishëm kombëtar. KESH është duke negociuar edhe një ristrukturim të të gjithë borxhit të saj, borxh i krijuar për shkak të falimentimit të sektorit dhe për shkak të keqmenaxhimit gjatë qeverisjes së kaluar. Kjo është një votë besimi për reformën në energji. Një votë besimi edhe për vet KESH, që BERZH do të hyjë me paketën më të madhe financiare të mbështetjes për këtë korporatë. Vetëm nëpërmjet ristrukturimit të kësaj kredie do të shpëtojnë miliona euro në vit nga ulja e interesave dhe fillimi i pagesave të principalit”, theksoi ministri Gjiknuri.