REAGIM NDAJ DEKLARATAVE TE DEPUTETIT BERISHA
Calendar Announcement 23/09/2016

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare hedh poshtë spekulimet e bëra  sot publike  në media  nga deputeti i  Partisë  Demokratike  Sali Berisha.

  Referuar çështjes për të cilën flet z.Berisha, KESH sqaron  opinionin  publik sa  vijon:

 Në zbatim të planit të qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, Korporata Eelektroenergjitike Shqiptare sh.a, duke vlerësuar veprimtarinë e saj në kushtet e parashikimeve të Ligjit të ri të Sektorit të Energjisë, ka evidentuar se shfrytëzimi i prurjeve të mëdha të ujit, kryesisht gjatë periudhës së pranverës është një problematikë e trashëguar në vite dhe e pazgjidhur.

Me synim maksimizimin e shfrytëzimit të prurjeve të mëdha u analizuan rrugët dhe mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje që i mundëson shoqërisë KESH sh.a shmangien e shkarkimeve të ujit pa prodhim energjie elektrike nëpërmjet mekanizmit të depozitimit të saj tek një partner i përzgjedhur, bazuar në parimet e një tregu konkurues të lirë dhe transparent.

Në çdo rast, kjo marrëdhënie zbatohet vetëm pasi KESH ka përmbushur detyrimin për shërbim publik për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve familjar apo shitjen e energjisë elektrike sipas rregullave të miratuara nga ERE. Ky produkt i ri synon shfrytëzimin vetëm të asaj sasie uji e cila më përpara shkarkohej pa prodhim energjie.

Sipas vlerësimeve dhe analizave, nëse do të kishte qenë efektive një kontratë e tillë depozitimi, vetëm për periudhën Shkurt-Qershor 2016 do të ishte shmangur shkarkimi i një sasie uji pa prodhim energjie. Kjo sasi do të kishte prodhuar 150 GWh me një të ardhur të shtuar për Buxhetin e Shtetit në vlerën 5 milion euro.

Çdokush e ka të qartë se në këtë rast nuk flasim për asnjë procedurë tenderi; transaksionet e energjisë elektrike nuk janë objekt i Ligjit të Prokurimit Publik dhe për rrjedhojë nuk realizohen përmes Agjencisë së Prokurimit Publik.Gjithashtu, është e qartë se nuk cënohet asnjë prej e drejtave ekskluzive të KESH-it për menaxhimin e Kaskadës së Drinit.

Kontrata përbën një marrëveshje partneriteti me të cilën KESH shfrytëzon prurjet e mëdha ujore (që deri më sot shkarkoheshin pa prodhim energjie), për të prodhuar energji shtesë, e cila përmes depozitimit do mund të shfrytëzohet në periudhat e thata të vitit.

 Referuar procedurave të ndjekura për këtë rast, Shoqëria KESH sh.a duke parë që:

1.     transaksionet energjetike nuk janë subjekt i ligjit për prokurimin publik.

2.     kuadri rregullator i miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë nuk është i aplikueshëm për proceduren në fjalë, për shkak se kjo procedurë nuk synon një marrëdhënie të mirëfilltë shitblerje apo shkëmbimi energjie,

3.     vendosi që përzgjedhja e partnerit të realizohej nëpërmjet një procedure që ofronte garanci për trajtim të barabartë, transparent të pjesëmarrësve në këtë procedurë, garanci e cila mbështetet në frymën dhe parimet e legjislacionit shqiptar për transaksione të ngjashme.

 Më datë 13.06.2016, shoqëria KESH sh.a publikoi në faqen zyrtare të internetit “Ftesën për shprehje interesi për një marrëveshje kuadër depozitimi të energjisë elektrike”.

Brenda afateve të përcaktuar në “Ftesë për Shprehje Interesi” u paraqitën në KESH sh.a si në formën elektronike ashtu dhe në rrugë postare propozimet nga 5 (pesë) shoqëri (GSA shpk, GEN-I Tirana shpk, EFT AG – Zvicër, AXPO Trading AG – Zvicër, dhe Alpiq Energy SE – Çeki), shoqëri këto që marrin pjesë rregullisht në të gjitha procedurat e transaksioneve energjitike që zhvillohen në tregun shqiptar të energjisë elektrike.

 Në përfundim të procesit të vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga këto shoqëri, Komisioni i ngritur për këtë qëllim vlerësoi se propozimi i paraqitur nga shoqëria EFT AG-Zvicër përmbushte kriteret e Ftesës për Shprehje Interesi dhe e ftoi këtë subjekt për negocimin e kontratës. Gjithashtu, më datë 30/06/2016 KESH sh.a. në përputhje të plotë me parashikimet e “Ftesës për Shprehje Interesi” ka njoftuar zyrtarisht shoqëritë e tjera në formë të shkruar për rezultatet e vleresimit të dokumentacionit të paraqitur.

Në përfundim të procesit të negocimit, më datë 27/07/2016 u nënshkrua kontrata kuadër për depozitim energjie ndërmjet shoqërisë KESH sh.a. dhe EFT AG.

Nëpërmjet kësaj kontrate, e cila prezanton një produkt të ri për tregun shqiptar të energjisë elektrike, shoqëria KESH sh.a do të mund të realizojë:

1.     depozitimin e energjise elektrike duke shmangur shkarkimet e ujit pa prodhim energjie elektrike gjatë periudhës 48 orëshe që nevojitet per zhvillimin e procedures së shtiblerjes se energjisë elektrike;

2.     depozitimin e sasisë së energjisë elektrike që nuk arrin të shitet në treg (prodhimi i KESH në kushtet e prujeve të mëdha është më i madh se kërkesa e tregut në atë periudhë) në kushtet kur sasia e ofruar për shitje nuk do të blihet plotësisht nga blerësit/tregtarët;

3.     depozitimin e sasisë së energjisë elektrike për të cilën tregtaret ofrojnë një çmim/njësi më të ulët se çmimi me të cilin KESH sh.a shet energji elektrike në tregun e rregulluar (për Furnizuesin e Shërbimit Universal).

Me Vendimin nr. 131, datë 15/08/2016, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë ka vendosur ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme për finalizimin e procedurës.

Ndërkohë që procedura ishte finalizuar me nënshkrimin e kontratës më datë 27/07/2016 dhe KESH nuk është ftuar në asnjë seancë dëgjimore për një procedurë shqyrtimi të inicuar për vendimarrje nga ERE, me Vendimn nr. 131 datë 15/08/2016, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë ka vendosur ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme për finalizimin e procedurës.

Pavarësisht rezervave lidhur me afatet, procedurat dhe kompetencen e ERE-s në këtë vendim, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare po e ndjek hapat e ankimimit sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, në konsultim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.Partnerët InstitucionalëMinistria e Infrastrukturës dhe Energjisë Ministria e Financave dhe Ekonomisë Enti Rregullator i EnergjisëOperatori i Sistemit të TransmetimitOperatori i Shpërndarjes së Energjisë ElektrikeAgjensia Kombëtare e Burimeve NatyroreSekretariati i EnergjisëIHA- International Hydropower AssociationEFET – The European Federation of Energy TradersPartnerët FinanciarëThe World BankEuropean Investment BankEuropean Bank for Reconstruction and DevelopmentSwiss Development Agency KfW