Deklaratë e Korporatës Elektroenergjitike mbi situatën në kaskadën e lumit Drin, datë 9 janar 2021

Nisur nga situata meteorologjike dhe intensiteti i lartë i reshjeve në të gjithë teritorrin e Shqipërisë, Korporata Elektroenergjitike njofton opinionin publik se situata në HEC e kaskadës së lumit Drin është totalisht në kontroll për sa i përket sigurisë së veprave.
 
Sa i përket prodhimit ditor, aktualisht po gjenerohet energji me kapacitet të plotë në Hec Koman dhe Vau i Dejës, 17.000 MWh, duke përmbushur plotësisht kërkesën për furnizim nga OSHEE. Në Hec Fierzë aktualisht nuk po gjenerohet energji e po administrohet me qëllim akumulimin e prurjeve për rritjen e rezerves energjitike dhe lehtësimin e veprimeve operacionale për administrimin e prurjeve.
 
KESH po menaxhon situatën e prurjeve të ujrave në kaskadë që prej ditëve të fundit të Dhjetorit e situata diten e sotme paraqitet si më poshtë :

Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë aktualisht:
Fierza 280.29 mmnd,
Koman 174.42 mmnd,
Vau i Dejës 75.58 mmnd.

 
Aktualisht prurjet natyrore në kaskadë janë 3050 m3/s, ndërkohë që shkarkimet totale nga Hec Vau i Dejës janë 500 m3/s nga portat e shkarkimit dhe 420m3/s nga prodhimi i turbinave, ose rreth 30% e prurjeve natyrore në lumin Drin.
 
KESH po monitoron në mënyrë dinamike prurjet naturale e ka marrë të gjitha masat për ti paraprirë situatës duke akumuluar pjesën dërrmuese të prurjeve në liqenet e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës.. Situata po monitorohet me kujdes për të garantuar në çdo kohë administrim optimal të prurjeve dhe shkarkimeve me qëllim që impakti i tyre të jetë i papërfillshëm për zonën e nën Shkodrës.
 
Grafiku i Prurjeve në raport me shkarkimet nga portat e Hec Vau i Dejës gjatë tre ditëve të fundit, si dhe parashikimet për ditët në vijim.