Miratohen “Rregullat e Përgjithshme të Organizimit të Aktivitetit Tregtar” për KESh sh.a

Me Vendimin Nr. 5233/1, datë 12.06.2019 , Asambleja e Aksionarëve miratoi “Rregullat e Përgjithshme të Orgnizimit të Aktivitetit Tregtar” për KESh sh.a.  Ky dokument pritet t’i japë një tjetër dimension aktivitetit tregtar të shoqërisë në tregun e energjisë, duke konsideruar së pari përmbushjen e detyrimeve për shërbimin publik si dhe mbrojtjen e interesit publik në përputhje me parashikimet e ligjit ” Për sektorin e energjisë elektrike” të ndryshuar.

Rregulloja e re synon komercializimin e aktivitetit te Kesh sh.a në drejtim të furnizimit me energji elektrike, fillimisht në vend e më pas në tregun rajonal, si dhe në zhvillimin e proçedurave të tregtimit në formë elektronike duke rritur transparencën, shkurtuar kohën dhe garantuar konkurrencën.

Licenca për furnizimin me energji elektrike nga Kesh sh.a, krahas asaj të prodhimit dhe tregtimit, është një mjet i ri që do të garantojë pjesëmarrjen e shoqërisë Kesh sh.a në tregun shqiptar të energjisë elektrike, si dhe do të nxisë krijimin e një filozofie të re të tregtimit të energjisë, duke ofruar produkte të reja për tregun, optimizimin e portofolit energjetik dhe ekonomik të shoqërisë dhe mbështetje të vazhdueshme (“driving force”) drejt procesit gradual të liberalizimit të tregut.

Rregullat e Përgjithshme të Aktivitetit Tregtar të shoqërisë KESH sh.a. janë hartuar dhe miratuar gjithashtu në frymën e Strategjisë Zhvillimore të Shoqërisë miratuar nga Asambleja e Aksionare, angazhimeve të ndërmarra në kuadër të marrëveshjes së huas së nënshkruar ndërmjet KESH sh.a dhe EBRD, si dhe angazhimeve të ndërmarra nga qeveria shqiptare me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Energjinë (2018-2030).