Siguria dhe Shëndeti
Disa fakte që mund t'ju duhet
të dini rreth KESH
Përgjegjësitë e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare për sigurinë dhe shëndetin në punë janë në përputhje me rregulloret dhe normat shtetërore të sanksionuara në Rregulloren e Sigurimit dhe Shfrytëzimit Teknik për Impiantet, Pajisjet dhe Instalimet elektrike. Në zbatim të kësaj rregulloreje, KESH ka bërë parashikmet e veta në strukturën e vet organizative, duke integruar funksionet përkatëse në nivel Qëndror dhe Njësi Prodhimi.
Qëllimi i sistemit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë është rritja e sigurisë së punonjësve në ambjentet e punës dhe mbrojtja e shëndetit e mirëqenies së tyre dhe personave të tjerë (publikut) që mund të ekspozohen ndaj risqeve të aktivitetit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
Rreziqet kryesore ndaj të cilave ekspozohen punonjësit e KESH-it që punojnë direkt në impiantet e prodhimit të energjisë elektrike përfshijnë kryesisht goditjet nga rryma elektrike, goditjet nga eksplodimi i pajisjeve nën presion, rëniet nga lartësia, efektet e lëndëve kimike, biologjike dhe kancerogjene, zhurmat, dridhjet mekanike, fushat elektrostatike, rrezatimet jonizuese dhe optike, etj.
Rregullorja e Sigurimit Teknik dhe Mbrojtjes së Shëndetit në Punë sanksionon:
● Vlerësimin e riskut dhe marrjen e masave të nevojshme (mjete dhe staf kompetent) për trajnimin e punonjësve për sigurinë dhe mbrojtjen në punë, përfshirë dhënien e ndihmës së parë të kualifikuar dhe transportin për në qendrën më të afërt spitalore.
● Sigurimim e veglave të punës, pajimeve dhe veshjeve mbrojtëse për punonjësit (çertifikuar sipas normave IP të sigurisë) dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme në ambjentet e punës (ventilimin, ngrohjen, ndriçimin e mjaftueshëm, mobilimin, etj)
● Përgatitjen dhe instalimin e sinjalistikës për t’i treguar punonjësve çfarë duhet të dinë për ruajtjen e shëndetit dhe sigurinë në punë;
● Sigurimin e punonjësve për rastet e aksidenteve në punë përfshirë aksidentet rrugore kur punonjësi udhëton për në vendin e punës si dhe për të prekurit nga sëmundje profesionale.
● Regjistrimin dhe raportimin e aksidenteve në punë dhe të prekurit nga sëmundje profesionale si dhe të rasteve të rrezikshme që mund të ndodhin.
● Vlerësimin e riskut të dëmtimit të punonjësve nga substancat e rrezikshme dhe vendosjen e tabelave paralajmëruese dhe zbatimin e rregulloreve përkatëse të rekomandauara nga furnizuesi i tyre.
Ndërkohë që njohja dhe zbatimi i rregullave të sigurimit teknik dhe ruajtjes së shëndetit në punë është detyrë e përhershme e përsonelit të KESH sh.a., menaxhimi i Sistemit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë përfshin në vetvete përmirësimin e vazhdueshëm dhe shërbim gjithnjë e më të kualifikuar ndaj të punësuarve në nivelin e kërkesave të kohës.