Fakte Rreth KESH
Disa fakte që mund t'ju duhet
të dini rreth KESH
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) është prodhuesi publik dhe në të njëjtën kohë prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Shqipëri. KESH ka nën administrim impiantet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në vend.
Këto asete përbëhen nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, (HEC Fierzë, HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës) me një fuqi të instaluar prej 1,350 MW, dhe TEC Vlora me fuqi të instaluar prej 98 MW. Kaskada e ndërtuar mbi Pellgun e Lumit Drin është më e madhja në Ballkan si për nga kapaciteti i instaluar ashtu edhe nga madhësia e veprave hidroteknike. Duke pasur në funksionim 79% të kapaciteteve prodhuese në vend, KESH furnizon rreth 70-75 % të kërkesës për energji elektrike të klientëve tariforë, siguron energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve në sistemin e transmetimit, si dhe nëpërmjet energjisë balancuese e shërbimeve ndihmëse garanton sigurinë e sistemit energjitik shqiptar. Gjithashtu, KESH ka përgjegjësinë për administrimin, operimin korrekt dhe garantimin e sigurisë teknike e operacionale të veprave energjitike që administron.
KESH, jo vetëm është një nga prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet hidrike më të rëndësishëm në rajon, por konsiderohet edhe një faktor me ndikim rajonal përsa i përket sigurisë së veprave hidrike
Totali i aktiveve të Kompanisë
173 miliardë lekë
Të ardhurat mesatare vjetore
15.5 miliardë lekë
Prodhim i mesatar shumëvjeçar
3850 Gwh
Numri i punonjësve të Kompanisë
737 persona
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare – KESH sh.a. ka si veprimtari themelore prodhimin e energjisë elektrike dhe tregtimin e saj në tregun e rregulluar dhe të pa rregulluar. KESH sh.a. ka në administrim kaskadën më të madhe në rajon me një sipërfaqje ujëmbledhëse në Lumin Drin, e cila vlerësohet të jetë 14,173 km2 më një gjatësi të rrjedhës prej 285 km.